Take a fresh look at your lifestyle.

Rama viziton xhaminë e Et’hem Beut, uron muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që janë kryer për restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë.

Rama tha se “ky xhevahir i Trashëgimisë sonë Kulturore është kthyer në krejt shkëlqimin e vet, pas një pune të gjatë milimetrike, që ka nxjerrë gjithçka fshihej nën shtresat e kohërave dhe sot është vendi ideal, për të uruar Muajin e Madh të Ramazanit me besimin e madh se ky do të jetë edhe një muaj i afrimit vendimtar me dritën në fundin e tunelit rraskapitës të pandemisë”.

“Deri para 1 muaji ishte thuajse e paimagjinueshme që do hynit në muajin tuaj më të rëndësishëm të vitit të lehtësuar jo pak nga shtrëngesa e pandemisë. Me zgjatjen e orarit do të keni mundësi të bëni gjithë ritualet dhe ndërkohë shumë besim që ky muaj do jetë energjizues”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se, “me daljen nga tuneli i pandemisë, me hapjen e sezonit turistik, me hapjen e të gjitha punëve për njerëzit, do të kemi një perspektivë krejt tjetër”.

“Përfitoj nga rasti t’i uroj gjithë komunitetit një muaj agjërimit të pranuar dhe Zoti qoftë me ju dhe shqiptarët”, tha Rama.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi se punimet në këtë xhami janë në fazën përfundimtare.

“Është pothuajse e gjitha e kompletuar. Ka mbaruar e gjithë pjesa e restaurimit të afreskeve. Kjo ka qenë një nga punët më të mëdha dhe më të gjata në këtë kantier. Edhe në pjesën e themeleve është kryer gjithë hidroizolimi. Kjo besoj është një nga punët më ekselente që janë kryer në Shqipëri në restaurime të tilla xhamish”, tha ajo, ndërsa shtoi se ka përfunduar edhe pjesa e ndriçimit të jashtëm të xhamisë.