Take a fresh look at your lifestyle.

A do t’i takojë Ministri i Jashtëm gjerman nesër opozitën kosovare, flet Enver Hoxhaj

Ashtu siç ka raportuar mbrëmë Gazeta Online “Reporteri.net”, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, nesër (e enjte), do ta vizitojë Kosovën.

Ai në këtë vizitë zyrtare do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani, Kryeministrin, Albin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, temat e takimit do të jenë “çështjet e marrëdhënieve bilaterale, përafrimi me BE-në, si dhe dialogu për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Por ende nuk dihet nëse Maas do të takohet me përfaqësuesit e opozitës kosovare.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontakuar me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai ka thënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se ende nuk ka ndonjë informacion nëse në agjendën e kryediplomatit gjerman parashihet ndonjë takim me të si u.d i kryetarit të partisë më të madhe opozitare në vend.

“Nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë Hoxhaj.

Kjo vizitë e Maas vjen vetëm pak ditë para se Kurti të udhëtojë për në Bruksel. Një ditë pas kryediplomati gjerman do të qëndrojë për vizitë edhe në Beograd.

Kujtojmë që vizita e fundit e një ministri të Jashtëm gjerman në Kosovë ka qenë në vitin 2017. Atëherë Hoxhaj në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme e pati takuar ish-ministrin gjerman Sigmar Gabriel.