Take a fresh look at your lifestyle.

Efektet e ‘non-paper’: Dodiku do ndarje paqësore, Izetbegoviqi e sheh luftën si opsion

Kryetari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës (BH) dhe udhëheqësi i partisë në pushtet (e njohur si SNSD) në njësinë e Republikës Serbe, Millorad Dodik, tha se parlamenti i njësisë do të formojë një ekip që do të negociojë me përfaqësuesit e njësisë tjetër gjysmëautonome të vendit, Federatën Boshnjako-Kroate (e njohur si FBH), rreth asaj sesi duhet të strukturoret Bosnja në mënyrë që ta bëjë atë më funksionale, transmeton Demokracia.com.

“Kjo është përgjigjja jonë ndaj këtyre deklaratave nga FBH, e cila vazhdimisht bën thirrje për luftë”, tha ai për mediumin N1. Deklaratat e Dodikut erdhën pasi zyrtarët e lartë në FBH, veçanërisht dy kolegët e tij në presidencë, përfaqësuesi boshnjak, Shefik Xhaferoviq dhe përfaqësuesi i kroatëve të BH, Zhelko Komshiq (të cilin shumica e kroatëve nuk e njohin, duke thënë se ai u zgjodh me votat e boshnjakëve), dënuan fuqishëm një ‘non-paper’ fantom, e cila flet për rivendosjen e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për televizionin komercial të Sarajevës, Kanal O, Bakir Izetbegoviq, presidenti i partisë më të madhe boshnjake, SDA, tha se ai “më mirë do të vdiste sot sesa të lejojë ata që kryen gjenocid të qeverisin një pjesë të BH-së”.

Në të njëjtën intervistë, ai gjithashtu kujtoi se babai i tij, Alija Izetbegoviqi, presidenti i parë i BH-së, besonte në mundësinë e ruajtjes së paqes deri në vitin 1992 kur u tha qytetarëve të flinin të qetë, sepse “nuk do të kishte luftë”.

Izetbegoviqi tha se ai nuk donte të përsëriste gabimin e babait të tij, por theksoi se ai është “i gatshëm të qëndronte para popullit të tij” nëse do të ketë një luftë mbi përpjekjet për të ndarë Bosnjën.