Take a fresh look at your lifestyle.

Ia huq Ministrja e Arsimit, merr vendim që në ditë pushimi të fillojë mësimi plotësues i nxënësve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka nënshkruar vendimin për organizimin e mësimit plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19, mirëpo sipas këtij vendimi mësimi do të fillojë në ditë feste, shkruan Gazeta Metro.

Data 3 maj që ka caktuar ministria për të filluar mësimin është ditë feste, pasi që me rastin e 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, dita e hënë, 3 maj, 2021, do të jetë ditë pushimi, meqë data 1 maj bie në ditë fundjave.

Më poshtë ju sjellim njoftimin e plotë të Ministrisë, ku ia ka huqur me fillimin e mësimit plotësues:

Organizimi i mësimit plotësues do të implementohet për nivelin e arsimit parauniversitar:

-Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë.

-Për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore.

Mësimi plotësues fillon nga data 3 maj 2021 në objekte shkollore dhe vazhdon deri në përfundim të vitit mësimorë 2020-2021.

Drejtoritë Komunale të Arsimit do të dorëzojnë në Inspektoratin e Arsimit planifikimet e shkollave për mësimin plotësues deri me datën 28 prill 2021, ndërsa do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues.