Take a fresh look at your lifestyle.

Abdixhiku kritikon Qeverinë: Shumica parlamentare flet për testime – bota për vaksinim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në seancën që po mbahet në Kuvend lidhur me situatën epidemiologjike të COVID-19 në Kosovë, ka thënë se kemi një kryeministër që s’është i interesuar për pandeminë.

Ai gjithashtu tha se fjalimi i pozitës flet për testime anti-Covid, kurse bota flet për vaksinim.

“Kjo pamje flet shumë, një qeveri që temën më të rëndësishme në 20 vitet e fundit, nuk e ka kryeministrin në seancë, kjo tregon që ka një kryeministër të painteresuar për pandeminë, një kryeministër që e len ministrinë vetë. Një fjalim i shumicës parlamentare që flet për testime kur bota flet për vaksinim”, shtoi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai gjithashtu shtoi se ditët s’kanë më rëndësi pasi çdo ditë shumë qytetarë po vdesin si pasojë e koronavirusit.

“Po bëhet një muaj e 4 ditë kur u votua Qeveria, ditët më s’kanë rëndësi, rëndësi kanë orët, pasi çdo dy orë një qytetar i Kosovës vdes nga COVID-19. Kur kjo seancë mbaron dy qytetarë, prind tanë, do të vdesin nga covid-19 dhe deri në mbrëmje 10 qytetarë s’do të jenë më në mesin tonë.

Unë nuk pres që ju të bëni mrekulli menjëherë apo të jepni zgjidhje të menjëhershme, kur s’vijnë vaksinat ju iu vërsuleni mediave, zgjidhje nuk pres, por pres përkushtim”, tha Abdigjiku.