Take a fresh look at your lifestyle.

Infektologu: Vaksinimi masiv të ndodhë deri në fund të qershorit, rrezikojmë bllokadën totale

Infektologu Shemsedin Dreshaj në takimin e sotshëm të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ka thënë se vaksinimi masiv duhet të ndodhë deri në fund të qershorit. Sipas tij në rast se nuk ndodh një gjë e tillë vendi rrezikon që të hyjë në bllokadë totale.

Më tutje Dreshaj deklaroi se shëndetësia duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria duhet sa më parë t’a hartojë dhe dorëzojë në Kuvend strategjinë legjislative në mënyrë që ne si Komision të fillojmë të punojmë mbi bazën e asaj strategjie. Kritikojmë mungesën e vaksinave për qytetarët tanë. Vaksinimi masiv duhet të ndodhë deri në fund të qershorit ose rrezikojmë të hyjmë në bllokadë totale. Nëse vaksinimi nuk ndodh, atëherë ekziston rreziku që të gjitha vendet e rajonit do të bllokojnë Kosovën dhe kjo duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese për ne”, është shprehur Dreshaj.

Në lidhje me kërkesën që është dorëzuar në Komision nga ana e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për përkrahje financiare, Dreshaj deklaroi që kjo kërkesë është tërësisht legjitime.

‘’Mjekët nuk duhet të jenë heronj vetëm në letër por duhet të jenë heronj në vepër. Duhet të rriten subvencionet për personelin shëndetësor dhe jo të ndodhë e kundërta siç ka ndodhur. Madje, rritja e subvencioneve duhet të jetë vetëm zgjidhje afatshkurtër, sepse ne duhet të insistojmë që sa më parë të vije në Kuvend Ligji i Pagave, dhe përmes këtij ligji personelit shëndetësor t’u ofrohet zgjidhja që e meritojnë”, ka thënë Dreshaj.