Take a fresh look at your lifestyle.

Kurti i premton Borrellit se dialogu nuk do të neglizhohet, ai mund të nisë në qershor

Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ana e Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë darkës të cilën do ta organizojë Borrell gjatë mesit të majit, ai do të jetë i pranishëm nga ku do të shikojë për takime për të filluar një kapitull të ri të dialogut me Serbinë.

“Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne. Unë do të vij përsëri në mes të majit për darkën që do të shtroni me liderët e Ballkanit perëndimor dhe do të shikoj që të kem biseda e takime për të filluar një periudhë të re të dialogut”, ka thënë ai.

Kurti tutje e ka njoftuar edhe për takimet tjera të cilat i ka pasur gjatë kësaj kohe. Ai ka përmendur edhe vaksinat, derisa ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian. “Në mëngjes jam takuar me sekretarin e NATO dhe më vonë do të takohem me presidenten e Komisionit Evropian. BE dhe NATO nuk kanë alternativë për Kosovën. Këtë e kemi parë edhe gjatë kohës së pandemisë. Kosova është vend që as nuk mund ta imagjinojë të marrë vaksina nga vendet e lindjes sidomos nga Kina dhe Rusia. Ne jemi duke shikuar nga Evropa. Ne kemi pasur një fitore të madhe me 14 shkurt. Ne duam të tregojmë se për ne kjo vizitë nuk është vetëm simbolike, prandaj edhe ne jemi takuar me komisionarë ku kemi biseduar për tema të ndryshme dhe ne duam që t’i bashkërendojmë me Bashkimin Evropian për temat dhe prioritetet tona. Ne gjatë pandemisë kemi marrë 24 mijë vaksina, do të marrim një kontingjent tjetër në maj, porse neve na duhen më shumë në mënyrë që diaspora të mund të vije gjatë verës në mënyrë që të rritet ekonomia. Ne jemi shumë të varur nga diaspora dhe gjatë kësaj kohë të pandemisë është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai. Kurti ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme në Qeveri do të prezantohet programi qeverisës i cili pastaj do të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, i pyetur se pse nuk ka pranuar takimin e 11 majit, Kurti ka thënë se Qeverisë i duhen më shumë informacione në dokumente për të parë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe procesin në përgjithësi në mënyrë që të përgatitet më mirë. Në maj ai ka thënë se do të takohet me opozitën në Kosovë në mënyrë që ata të kenë kontributin e vet në këtë proces. Ai ka thënë se do dialog të përgatitur mirë dhe se nuk do gabime të reja.

“Fillimisht do të kemi darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor, e pastaj në muajin qershor mund të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, ka thënë ai.