Take a fresh look at your lifestyle.

Ylli i Interit bën fushatë për lirinë e Palestinës, pas dhunës në Jerusalem

Mbrojtësi i Interit, Achraf Hakimi, është duke bërë fushatë në rrjetet sociale për lirinë e Palestinës, pasi u përshkallëzua gjendja mes palestinezëve dhe Izraelit të hënën mbrëma.

Nëntë palestinezë u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, të cilat u bënë si përgjigje ndaj raketave të grupeve palestineze mbi Izraelin, transmeton Gazeta Express.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në territorin bregdetar palestinez, pasi grupet militante në Gaza kishin gjuajtur me raketa në drejtim të Izraelit.

Paraprakisht, një sulm i policisë izraelite në xhaminë al-Aqsa i lëndoi qindra palestinezë.

Mbrojtësi i djathtë i Interit, Hakimi i postoi dy mesazhe në Twitter të hënën, duke kërkuar liri për Palestinën.

Njëri prej postimeve është një video e një aktivisteje, më gjasë e arrestuar nga policia izraelite, që flet me një oficer.

“A dëshironi që fëmijët tuaj t’i mbrojnë tiranët?” e pyet ajo oficerin izraelit.

“Mbase keni familje dhe fëmijë. A është kjo ajo që ju keni dashur të ishit si i ri, kur ishit fëmijë?” pyet ajo.