Take a fresh look at your lifestyle.

“Euro 2020”, publikohet kënga zyrtare “We Are The People”

Energjia e dj Martin Garrix nga një anë dhe legjenda e Bono Vox nga ana tjetër për kolonën zanore të kampionatit europian të futbollit.

Një bashkëpunim mes Garrix dhe U2 është “We are the people” – Ne jemi njerëzit – himni zyrtar i Euro 2020, që pas një viti pritjeje është gati.

Një këngë e shkruar dy vjet më parë për të transmetuar pozitivitet, shpresë, këmbëngulje dhe dëshirë për të jetuar.

Si dhe për të shënuar një hap të parë drejt rikthimit në normalitet pas pandemisë që pushtoi botën.

Në një intervistë të shkurtër Garrix u shpreh se kjo ishte gjëja më e çmendur që kishte bërë.

Kur UEFA e telefonoi për t’i kërkuar të kujdeset për krijimin e kolonës zanore duke e lënë të lirë të bënte si të donte, ai u ndje nervoz dhe shumë i emocionuar.

E vetmja kërkesë ishte që muzika të zbaviste njerëzit dhe të pasqyronte atmosferën e kampionatit.

Në momentin që dj holandez nisi të punonte me projektin, e kishte menjëherë të qartë se do të ishte Bono Vox personi i zgjedhur.

Por meqë U2 i konsideronte të paarritshëm, nuk mbante shumë shpresa.

Por pasi i dërgoi materialin muzikor përgjigja e Bonos ishte e menjëhershme.

Frymëzimi për këngën erdhi duke menduar se si futbolli arrin tek tifozët duke i bashkuar ata.

Ata shprehen se nuk ka rëndësi kush fiton në fund, pasi vetëm fakti që kampionati po mbahet është një arsye gëzimi për shumë njerëz.

“Në këtë moment të gjithë kemi nevojë për këtë lidhje, dhe të ndihemi të bashkuar”, është mesazhi i artistëve.