Take a fresh look at your lifestyle.

Arrijnë edhe 3 mijë e 510 vaksina Pfizer në Kosovë

Mbrëmë kanë arritur 3 mijë e 510 vaksina Pfizer në Kosovë.

Kjo u bë e ditur nga burime të Klan Kosovës brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky kontigjent është i treti nga sasia prej 95 mijë vaksinave që do t’i japë donacion Bashkimi Evropian.

Nga 12 maji, në Kosovë ka nisur faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.

Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 106,939, ndërsa i viktimave 2,226.