Take a fresh look at your lifestyle.

Policia italine tregon vlerën e drogës së konfiskuar në Kosovë, nëse do të shitej me pakicë

Guardia di Finanza, në një raportim rreth konfiskimit të drogës në Kosovë, ka treguar edhe sa do të shitej një sasi e tillë, nëse do të shitej me pakicë në qendrat evropiane të tregtimit të drogës.

Në këtë drejtim Guardia di Finanza ka vlerësuar se sasia prej 400 kilogramësh kokainë, e konfiskuar të hënën në Kosovë, nëse do të shitej me pakicë në qendrat evropiane të tregtimit të drogës, do të kishte lejuar krimin e organizuar të fitonte mbi 100 milionë euro.

Ndryshe, përmes një njoftimi, Guardia di Financa ka bërë të ditur detajet e aksionit ndërkombëtar si dhe ka publikuar disa pamje të aksionit.
Siç është thënë në njoftim, përfaqësuesit e Komandës Krahinore të Guardia di Finanza të rajonit Calabria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Policinë Kriminale Shqiptare, kanë zbuluar një trafik ndërkombëtar të mbi 400 kilogramë kokaine brenda një kontejneri nga Amerika e Jugut.

Veç kësaj, është thënë edhe se në përfundim të operacionit ndërkombëtar antidrogë, i cili përfundoi mbrëmë në Ballkan, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe kosovare, pasi ndoqën kontejnerin gjatë tërë udhëtimit, sekuestruan 400 “pako” kokainë të pastër, për një total prej 400 kilogramësh, të fshehura në kuti që përmbajnë zyrtarisht “pulë”.

Si rezultat, ka vënë në pah Guardia di Finanza, 25 persona, përfshirë punëtorë, punonjës dhe shoferë të ndërmarrjes së lartpërmendur, iu nënshtruan arrestimit të policisë, përfshirë 7 nën arrest për trafik ndërkombëtar droge.