Take a fresh look at your lifestyle.

Kandiq i reagon ashpër presidentit të Çekisë: A ka dëgjuar ai se Serbia vrau mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq ka reaguar ashpër pasi presidenti i Çekisë i ka kërkuar falje Vuçiqit për bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.

Kandiq ka shkruar në Twitter se presidenti çek akoma nuk ka dëgjuar që ushtria dhe policia serbe pa mëshirë ka vrarë mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë.

“Presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Jugosllavisë dhe “ka zgjidhur traumën e tij shumë vjeçare” me këtë kërkim falje. Disa vite kanë kaluar dhe ai akoma nuk ka dëgjuar që ushtria dhe policia e po asaj Serbie ka vrarë pamëshirshëm mbi 7 mijë civilë shqiptarë për 78 ditë”, ka shkruar Kandiq.

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman ka kërkuar falje për përfshirjen e vendit të tij në sulmet ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës 1999. “Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të kërkuar falje për bombardimin e ish-Jugosllavisë,” tha Zemani të martën gjatë një vizite zyrtare të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Pragë.

Zeman, i cili shërbeu si kryeministër midis viteve 1998 dhe 2002 para se të merrte detyrën e presidentit në vitin 2013, tha se vendi i tij ishte “i fundit” në kuadër të NATO-s që dha miratimin për fushatën.

76-vjeçari Zeman, i cili është përballur me protesta në vendin e tij për afërsinë e tij me Rusinë, shtoi se vendi i tij kishte kërkuar me “dëshpërim” partnerë brenda aleancës për të kundërshtuar fushatën, por në fund dështoi./Telegrafi/