Take a fresh look at your lifestyle.

Selimi: Albin Kurti e barazoi UÇK-në me Vuçiqin

Ish-ministri nga radhët e AAK-së, Selim Selimi, ka akuzuar kryeministrit Albin Kurti se në planin për ballafaqim me të kaluarën, ka relativizuar krimet e luftës duke barazuar agresorin me viktimën.

Selimi i është referuar Kurtit si “kryetar i dy partive, VV dhe LDK”, duke thënë se relativizimi i krimeve të luftës dhe barazimi i çlirimtarëve me kriminelët e aparaturës së Millosheviqit është ‘revizionizëm dashakeq i historisë çlirimtare’, transmeton lajmi.net.

“Gjuetia e shtrigave, poltronizimi ndaj Serbisë dhe falsifikimi i historisë duke barazuar UÇK-në me Vuçiqin tregon se ky Kryeministër dhe aparatçikët e tij janë të përbetuar të vendosin regjim shtypës”, ka shkruar Selimi në Facebook.

Ai ka thënë se distancimi nga SHBA dhe afrimi me eksponentë pro-rus i jep kahje të gabueshme politikës tonë të jashtme, duke thënë se do t’i kthehemi izolimit paranik me elemente të manipulueshme nga armiqtë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë:

Kryetari i dy partive politike VV dhe LDK, Kryeministri Kurti, në planin e tij për ballafaqim me të kaluarën relativizon krimet e luftës duke barazuar agresorin me viktimën. Unë e di që Kryeministri Kurti është i njoftuar me vendimet e Nurembergut, ICTY dhe ICC dhe e dinë që në çdo luftë ka agresorë aparatura politiko-ushtarake e Serbisë dhe viktimë, në rastin tonë popullata civile shqiptare.
Relativizimi i krimeve të luftës dhe barazimi i çlirimtarëve me kriminelët e aparaturës së Millosheviqit është revizionizëm dashakeq i historisë çlirimtare.
Gjuetia e shtrigave, poltronizimi ndaj Serbisë dhe falsifikimi i historisë duke barazuar UÇK-në me Vuçiqin tregon se ky Kryeministër dhe aparatçikët e tij janë të përberuar të vendosin regjim shtypës.
Distancimi nga ShBA dhe afrimi me eksponentë pro-rus i jep kahje të gabueshme politikës tonë të jashtme dhe do t’i kthehemi izolimit paranoik me elemente të manipulueshme nga armiqët.