Take a fresh look at your lifestyle.

“Nuk i çojmë fëmijët në tjetër shkollë”, vazhdon protesta e banorëve në Shipanicë të Kamenicës

Edhe sot, banorët e fshatit Shipanicë e Poshtme e Kamenicës kanë protestuar kundër mbylljes së shkollave, në kuadër të reformave në arsim që po i bën Komuna e Kamenicës, raporton Express

#Gjesi në T7 ka raportuar mëngjesin e sotëm nga fshati Shipanicë, ku banorët kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga protesta, derisa të realizohen kërkesat e tyre.

“Kërkesa jonë është mos me u mbyllë shkollat. Dimrit kah kisha s’mund t’i çojë, 3 kilometra është larg. Ka thënë transporti, por ndoshta verës i çon diqysh, dimrit s’mun i çon. Autobusët nuk dalin ku po thotë ai [kryetari]”, ka deklaruar një banor i Shipanicës.

E Liridon Shabani i cili të dielën i doli përpara veturës së Komunës së Kamenicës, ka deklaruar se këtë veprim e ka bërë për fëmijët e tij.

“Atë veprim e kam bë vetëm për veti, s’më ka shti kërkush. Qëndron Kastrati mbrëmë në një intervistë kish thënë se unë jam prej partive politike, por unë asnjë parti s’e përkrahi, e kam bë për fëmijët e mi, katër fëmijë i kam në shkollë. Unë foli për veti, jo për krejt banorët, por qysh e di krejt janë në mbështetje tonën. Ne nuk i çojmë fëmijët në tjetër shkollë, Qëndron Kastratit i them publikisht, Liridon Shabani jam,. Jo në gjyq, po ku të dojë përballem me të, deri ku të duan të më ndjekin, nuk e kam atë problem, nuk e kam sulmuar asnjë person zyrtar”, ka deklaruar Shabani.

Po ashtu, përveç banorëve, në afërsi të shkollës u panë edhe forcat policore që po patrullonin.

Ndiqeni të plotë intervistën e banorëve të Shipanicës në #Gjesi në T7: