Take a fresh look at your lifestyle.

Bariu hero shpëton gjashtë vrapues nga moti i lig, i futi në shpellë

Një bari kinez po vlerësohet si hero për shpëtimin e gjashtë vrapuesve të një super-maratone, ku 21 të tjerë mbetën të vdekur.

Zhu Keming tha se ishte duke i ruajtur delet të shtunën në provincën Gansu, kur shiu filloi dhe temperaturat ranë shumë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Pas ndryshimit të papritur e të shpejtë të motit, Zhu u strehua në një shpellë, ku kishte edhe ushqim dhe rroba për nevoja urgjente. Nga ai vend ai pa një vrapues shumë të lodhur.

Bariu iu tha medieve shtetërore kineze se e përcolli vrapuesin deri në shpellë, i bëri masazh në duar dhe këmbë dhe ndezi një zjarr për t’ia tharë rrobat.

Katër vrapues të tjerë arritën të shkojnë deri në shpellë dhe i treguan bariut se të tjerët kanë mbetur jashtë, madje disa prej tyre janë pa vetëdije.

Autoritetet nisën një operacion të kërkim-shpëtimit, por jo të gjithë u shpëtuan. (Foto: Reuters)
Duke sfiduar breshërin dhe temperaturat e ulëta, Zhu doli jashtë dhe gjeti një vrapues tjetër të lënduar.

“Dëshiroj të tregoj se sa mirënjohës jam për njeriun që më shpëtoi. Pa të, do të mbetesha atje jashtë”, tha vrapuesi Zhang Xiaotao.

Bariu Xhu arriti të shpëtonte tre burra e tri gra. Ai u tha medieve shtetërore se është një njeri i rëndomtë që ka bërë një vepër shumë të rëndomtë.

“Atje ende ishin disa njerëz që nuk mund të shpëtonin. Ishin dy burra të pajetë dhe unë nuk munda të bëj asgjë për ta. Më vjen keq”, tha ai.