Take a fresh look at your lifestyle.

Sulm masiv në ShBA, një punëtor vret tetë kolegë

Një punëtor ka qëlluar për vdekje tetë persona në një qendër të trenave në Kaliforni para se armën ta kthente edhe në drejtim të vetes.

Sulmi ndodhi në Autoritetin e Transportit Santa Clara Valley në San Jose, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi qëlloi me armë në orën 6 e 45 minuta të mëngjesit të së mërkurës sipas kohës lokale. Sipas një televizioni lokal, sulmi nisi gjatë një takimi të punëtorëve.

Zyrtarët e sundimit të ligjit i thanë televizionit CBS se sulmuesi quhet Samuel Cassidy dhe është 57 vjeç.

Bashkëshortja e tij, Cecilia Nelms, i tha agjencisë Associated press se ai i kishte thënë se dëshiron t’i vrasë kolegët e punës, por kurrë nuk kishte besuar se vërtet do ta bënte këtë vepër.

Pak çaste para sulmit, një zjarr shpërtheu në shtëpinë që i përkiste sulmuesit. Autoritetet thanë se po zhvillojnë hetime për të zbuluar nëse sulmuesi ia ka vënë flakën shtëpisë së vet para se ta niste sulmin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e cilësoi sulmin si një tragjedi të tmerrshme dhe urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmështizë. Ai i bëri thirrje përsëri Kongresit që të marrë masa për ashpërsimin e legjislacionit për kontrollimin e armëve që janë në duart e popullsisë civile.