Take a fresh look at your lifestyle.

Vëllau i Donjeta Pajazitaj: Ende nuk po dihet motivi i vrasjes, ka mundësi që dikush ka qenë me vrasësin

Pas vendimit të Gjykatës për ta dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn për vrasjen e Donjeta Pajazitaj në bjeshkët e Strellcit, para mediave kanë folur edhe familjarët e viktimës.

Vëllau i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj, ka thënë se ende nuk dihet motive i vrasjes, shkruan lajmi.net.

“Ende nuk është zbuluar ose hetuar nëse ka qenë dikush me të dyshuarin, pasi që dyshojmë që ka qenë edhe dikush tjetër që ndoshta ende vjen tek ne, sikur vetë i dënuari që ka ardhur për 6 javë tek ne në shtëpi. Ne nuk e dimë a ka qenë i vetëm, por gjendja e tij tregon, Donjeta ka qenë 24-vjeçare dhe me një reagim të saj kish pas mundësi me e rrotullu veturën ne bjeshkë. Ne nuk po e dimë motivin, atë po e kërkojmë pasi që kemi pasë hyrje-dalje me familjen e tyre”, ka thënë Pajazitaj, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se nëse çështja kthehet prap në rigjykim nga Gjykata e Apelit, familja do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vrasjen.

I pyetur për letrën që ishte përdorur si provë në gjykim, Shkëlqim Pajazitaj ka thënë se personi që i ka shkruar ato letra është dënuar nga drejtësia, ndërsa letrën që thoshte se Donjeta ka qenë shtatzënë e ka quajtur shpifje.