Take a fresh look at your lifestyle.

Ballkani bëhet cak i Forumit Mysliman Evropian

Më 6 korrik të këtij viti, në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ka qëndruar për vizitë një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian (EMF) i kryesuar nga kryetari i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Delegacionin e Forumit Mysliman Evropian, e kishte pritur në takim myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, por ata nuk e kishin shqyrtuar gjatë se çfarë paraqiste ky forum dhe kush ishte drejtuesi i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Forumi Mysliman Evropian, është organizatë që ka selinë në Bruksel, dhe është themeluar në tetor të vitit 2018.

Disa nga qëllimet e këtij Forumi, të cekura në faqen e tij të internetit janë: integrimi i migrantëve myslimanë në shoqërinë evropiane, ndihma në ndërtimin dhe zhvillimin e xhamive dhe qendrave kulturore islamike në vendet evropiane, organizimi i aktiviteteve që synojnë popullarizimin e trashëgimisë kulturore islame evropiane, zhvillimi i projekteve arsimore në internet për të arritur një audiencë më të gjerë nga të rinjtë myslimanë, zhvillimin e industrisë hallall në vendet evropiane, etj.

Drejtuesi i Forumit, Niyazov, kryeson gjithashtu Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe gjithashtu organ i lidhur me Kremlinin.

Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse.

Vizitë ‘kurtuazie’ e Forumit Mysliman Evropian në BIK

Kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se tradicionalisht, dyert e Bashkësisë Islame të Kosovës janë të hapura për vizitorët dhe në këtë kuptim është pranuar për vizitë edhe delegacioni i Forumit Mysliman Evropian. Por, siç thotë ai, nuk kanë pasur informata se me kë kanë afërsi anëtarë të caktuar të këtij delegacioni dhe as me pretendimet që Niyazov është i afërt me Kremlinin.

“Jo, ne nuk jemi marrë me atë se kush është i afërt apo kush është i largët. Nuk jemi marrë me këtë punë. Kanë ardhur si delegacion për vizitë dhe kaq. Thjesht, kanë qenë për vizitë. Kanë qenë në të gjithë Ballkanin dhe jo vetëm te ne. Kanë qenë në Maqedoni (të Veriut), Shqipëri, Bosnje (e Hercegovinë), Mal të Zi. Thjesht, ka qenë takim kurtuazie, takim njoftimi. Nuk ka pasur diçka tjetër. Është një forum i ri që është bërë prej atyre dhe nuk ka diçka specifike. Kanë vizituar medresenë, fakultetin, thjesht, që të njoftohen me bashkësinë dhe asgjë tjetër”, tha kryeimami Sahiti.

Sipas një njoftimit të BIK-ut lidhur me këtë vizitë, myftiu Naim Tërnava e ka njoftuar Niyazovin për aktivitetet e BIK-ut, kurse ky i fundit është shprehur i “impresionuar nga të arriturat e Kosovës në periudhën e pasluftës” dhe ka shprehur “gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen”.

Myftiu i Bosnjë​s nuk e pranoi takimin

Për dallim nga myftiu i Kosovës, myftiu i Bosnje e Hercegovinës, Husein Kavazoviq nuk pranoi të takojë këtë delegacion në korrik, gjatë një vizite në këtë shtet.