Take a fresh look at your lifestyle.

Turizmi në Tiranë – kryeqyteti shqiptar nën fokusin e aparatit të fotografive të vizitorëve

Tirana duket një metropol krejt i zakontë për banorët që rutina e përditshme i gjen tek rendin përgjatë rrugicave të saj, por një kryeqytet grishës me një të shkuar joshëse në sytë e turistëve të huaj që zgjedhin ta vizitojnë atë.

Një guidë turistike përmes Tiranës nis në vendtakimin më të famshëm, tek monumenti i Skënderbeut, ai i cili në sytë e turistëve shërben si qendra e referimit për Shqipërinë dhe historinë e popullit tonë e nga aty, ku Tirana është e rrethuar me pika të shumta turistike.

Një grup turistësh, kryesisht belgë, polakë dhe italianë marrin rrugën drejt Muzeut Historik Kombëtar. I ndërtuar në dekadën e fundit të regjimit komunist, ai është një ndër atraksionet më të vizituara në Tiranë i ndjekur nga Bunk’Art 2, një muzeum i ri që ndodhet pranë Ministrisë së Brendshme.

Nëse dikur ai shërbente si një bunker anti-atomik i qeverisë, sot është provë e ditëve të ethshme ku çdo gjë në brendësi të tij të flet pa zë për diktaturën që zgjati për gjysmë shekulli.

“Është interesante se si një vend i tillë është mbajtur aq i fshehtë nga njerëzit. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që historinë e Shqipërisë do e mësoja në një mënyrë të tillë, në këtë muze që është kaq ndryshe nga çdo vend i botës. Shqipëria ka një të kaluar të vështirë gjë që ndihet sapo futesh në brendësi të këtij muzeu, por është kaq e bukur të shohësh se si një popull i vogël, me një të kaluar kaq të madhe historike, ka gjetur rrugën gradualisht drejt dritës dhe sot është një vend shumë i bukur turistik, me njerëz të thjeshtë që kanë zemër të madhe”, tha një turiste belge, e cila ka dy ditë që ka ardhur në Shqipëri.

Guida, i dërgon mandej turistët përmes pedonales në Kalanë e Tiranës, ajo, e cila, sipas një turisti ngjan me një qytet brenda një kryeqyteti.

“Kjo është një kala fantastike. Ka gjallëri, kafene, shumë ngjyra dhe mbi të gjitha ajo që më pëlqen është një gërshetim i modernes me tradicionalen. Janë disa dyqane këtu ku mund të gjesh produkte artizanale, gjë që më ka tërhequr vëmendjen. Nuk e dija se Shqipëria ishte një ndër vendet që shquhej për produktet artizanale por tek kam parë disa prej tyre, kam kuptuar delikatesën dhe detajet me të cilat punojnë shqiptarët. Është shumë impresionuese”, rrëfen ai më tej.

Duke ndjekur udhën me kalldrëm nga Kalaja e Toptanëve, guida i udhëheq turistët drej “Urës së Tabakëve”, ndërtuar në shekullin e XVIII-të, ende po aq stoike, një dëshmi e gjallë e arkitekturës së veçantë.

Turistët nisin procesin e shkrepjes së fotografive, interesohen pastaj fill për çdo detaj rreth saj dhe gati në të ikur, kthehen përsëdyti të shkrepin ndonjë tjetër foto, nga ndonjë tjetër kënd.

Ergys Xhika, guida e këtij grupi, i drejton më tej drejt Pazarit të Ri, aty ku që në hyrje të bien në sy fasadat unike, me stil arkitekturor italian por me motive tërësisht shqiptare.