Take a fresh look at your lifestyle.

Mehaj gjatë vizitës në Britani do të nënshkruajë Memorandumin e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes

500

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se me ftesë zyrtare, të hënën, udhëton për vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka bërë të ditur se atje do të pritet nga homologia e tij, Baronesha Goldie DL, me të cilën do të nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes.

“Vizita në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme në procesin e ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së dhe dëshmon fuqishëm partneritetin shumë të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar që do të intensifikohet edhe më shumë me Memorandumin e ri.” shkroi Mehaj në një postim në Facebook.

Tutje tha se do të takohet me autoritetet më të larta në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik.

“Pastaj do të vizitoj edhe Qendrën e Luftërave Tokësore, Qendrën e Trajnimit Taktik të Komandës dhe Shtabit, Shkollën e Armëve të Specializuara, Divizionin e Zbulimit dhe Taktikave, Qendrën e Koleksionit të Armëve të Këmbësorisë, ndër të cilat përveç takimeve me autoritetet udhëheqëse do të takoj edhe kadetët dhe oficerët tanë që janë aktualisht duke u trajnuar në këto qendra.”

Mehaj tregoi se do të takohet edhe me përfaqësuesit e diasporës dhe stafit diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar.